Përqendrimi i qarkullimit të mjetete që duan të lëvizin drejt Tiranës, tashmë po bëhet nëpërmjet rrugës së Arbrit, një arterie kjo që e shkurton ndjeshëm distancën me kryeqytetin. Segmenti më problematik mbetet bajpasi i Murrizes i cili herë pas herë bllokohet nga dëbora. Edhe gjatë kësaj të shtune pati probleme në orët e para të ditës por me ndërhyrjen e mjetit borëpastrues, situata u normalizua dhe qarkullimi vijoi normalisht edhe drejt Tiranës e po ashtu drejt qyteteve të Qarkut Dibër, si Burrel, Klos, Bulqizë e Peshkopi.
Ky segment i rrugës së Arbrit përfshihet shumë edhe nga mjegulla, duke e bërë kalimin në të të vështirë. Nisur nga këto problematika, ekspertët rrugor vijojnë të këshillojnë drejtuesit e mjeteve që të qarkullojnë me shpejtësi të ulët.
Aksi nga Ura e fshatit Fshat deri në Qafën e Murrizes monitorohet pa ndërprerje nga policia rrugore, por edhe ajo e rendit. Drejtuesit e mjeteve që duan ta përdorin këtë aks në këtë periudhë kur ka reshje bore, duhet patjetër të kenë zinxhirë me vete.