Rruga e Arbrit e cila kalon përmes Njësisë Administrative në Xibër të Bashkisë së Klosit, ka lehtësuar lëvizjen e këtyre banorëve drejt kryeqytetit, por nga ana tjetër ka krijuar edhe probleme për ta. Banorët shprehen se sa ende nuk ka përfunduar së ndërtuari si vepër, duhet të bëhen korrigjimet e nevojshme që ju shërbejnë edhe atyre. Ata kërkojnë që të bëhen kalime të sigurta nga njëra anë në tjetrën të rrugës, të ketë hapsirë për kalimin e fëmijëve, të bëhen më shumë nënkalime për kalimin e kafshëve etj. Po ashtu, banorët shprehen se jo vetëm këto probleme, por edhe ato të punimeve në rrugë janë kthyer në rrezik për të gjithë drejtuesit e automjeteve. Deformimet e shumta që ka pësuar i gjithë segmenti nga tuneli i Murrizit e deri tek tenelet e fshatit Shkallë, sipas banorëve kanë ardhur si pasojë e cilësisë së dobët të punimeve.
Nevoja më emergjente për fshatrat Xibër – Murrize e Shkallë është hapsira e dedikuar për këmbësorët të cilët rrezikojnë teksa ecin në të njëjtën hapsirë me automjetet.