Kjo është rruga që firma Albchrome përdor në Bulqizë për të shkuar tek ky subjekt minerar. Por ajo nuk shërben vetëm për kompaninë pasi, e përdorin dhjetra banorë që jetojnë përgjatë kësaj rruge. Jashtë kameras banorët thanë se për këtë rrugë firma ka premtuar që do ta asfaltonte vite më parë, por gjendja siç shihet është e njëjtë, e madje në disa raste rruga bëhet gati e pakalueshme. Kjo për shkak se në këtë segment kalon i gjithë tonazhi i kromit që del nga thelësitë e nëntokës të kësaj miniere. Sipas banorëve, firma ka dorëzuar pranë Bashkisë Bulqizë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për asfaltimin e kësaj rruge me një gjatësi jo shumë të madhe. Ndërkohë edhe drejtuesit e mjeteve shprehen se kjo rrugë ka një projekt për asfaltim por që nuk është realizuar kurrë. Sipas tyre, jo vetëm që rruga krijon pluhur të madh gjatë verës, por dëmton edhe mjetet gjatë stinës së dimrit, pasi krijohen gropa të mëdha.
Nga ana tjetër drejtuesit e mjeteve shprehen se mbi këtë rrugë kalojnë qindra miliona lekë, ndërsa nuk investohet aspak në të.