Banorë të shtatë fshatrave të Njësisë Administrative Zerqan në Bashkinë e Bulqizës kanë protestuar në lidhje me gjendjen e degraduar të rrugës së tyre. Rruga në fjalë që përdoret nga banorët e fshatrave, Smollik, Lubalesh, Tërnovë e Madhe, Tërnovë e Vogël etj., aktualisht është pa mirëmbajtje. Banorët shprehen se kjo rrugë është ndërtuar vite më parë, ndërsa firma që ka ndërtuar një hidrocentral në këtë zonë kishte premtuar se do të asfaltohej. Por deri në ndërtimin e HEC-it firma ka shtruar vetëm 1 km rrugë me asfalt, ndërsa më pas nuk ka bërë asgjë. Banorët e revoltuar kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për të detyruar firmën të zbatojë marrëveshjen me ta. Ata thonë se gjendja e rrugës është si mos më keq, ndaj dhe duhet ndërhyrje emergjente. Ka banorë që janë rikthyer për të investuar në vendin e tyre, por që shprehn se zona nuk ka zhvillim me këtë infrastrukturë rrugore.

Banorët paralajmërojnë përshkallëzimin e protestave nëse situata nuk zgjidhet. Ndërkohë, të kontaktuar nga ana jonë përfaqësues të Bashkisë Bulqizë thanë se kjo rrugë është inventarizuar sëfundmi nga bashkia dhe se është planifikuar ndërhyrje.