Dy vite më parë aksi rrugor Klos – Burrel iu nënshtrua një rehabilitimi të plotë, me një fond prej 3.7 milion euro. Por si për çudi, ky investim nuk u finalizua deri në hyrje të qytetit të Burrelit, por u ndërpre në vendin e quajtur “Kthesa e Sanës”. Pa u rehabilituar mbetën vetëm 750 metra lineare, që tashmë janë kthyer në një gangrenë për drejtuesit e mjeteve dhe burim aksidentesh. Çedimi i karrexhatës në këtë pjesë, është bërë shkak për disa aksidente që fatmirësisht nuk ka patur viktima por vetëm dëme materiale. Drejtuesit e mjeteve thonë se të gjithë ata që nuk e njohin rrugën, rrezikojnë të aksidentohen pasi për këtë çedim mungon edhe sinjalistika paralajmëruese. Madje drejtuesit e mjeteve shprehen se firma mirëmbajtëse e rrugës duhet të kontrollohet nëse e bën apo jo punën për të cilën paguhet me taksat e shqiptarëve.
Por në këto 750 metra rrugë deri në hyrje të qytetit, problemet janë të shumta. Gropa të mëdha janë hapur kudo, e çedime të karrexhatës ka edhe në pjesë të tjera. Madje në hyrje të qytetit është shembur edhe muri mbrojtës e askush nuk kujdeset për riparimin e tij.