Rikonstruksioni total i aksit nacional Burrel – Klos rreth 2 vite më parë, përmirësojë ndjeshëm lëvizjen e automjeteve në këtë segment rrugor. Por menjëherë pas këtij rikonstruksioni ekspertët konstatuan probleme, kryesisht në elementët e sigurisë dhe sinjalistikën.
Në urën e “Lusës” mbrojtëset prej betoni janë të dëmtuara e në këtë gjendje kanë qenë prej vitesh. Por megjithëse projekti ishte rehabilitim i plotë i kësaj rruge, këto mbrojtëse jo vetëm që nuk u zëvendësuan, por as nuk u riparuan me të njëjtën strukturë, pra prej betoni.
Tabela që tregon kthesë në dalje të urës, tregon drejtim të kundërt. Për këtë ekspertët rrugor thonë se nëse ajo është vendosur për të paralajmëruar kthesën pasardhëse duhej të kishte informacion se sa larg është kthesa që paralajmëron.
Një tjetër problematikë ishte edhe vendosja e tabelave ngjitur me karrexhatën, ç’ka bëri që shumë prej tyre të dëmtoheshin menjëherë pas vendosjes në momentin kur kalonin paralel dy mjete të tonazhit të rëndë. Ndërkohë e vetmja tabelë e zhvendosur është kjo në fshatin Mallunxë. Edhe këtë firma e largoi nga karrexhata vetëm pasi u këput e gjitha nga automjetet.