Nafta vijon të rritet duke kapur vlerën e 193 lekëve për një litër, ndërsa paralelisht me të, po rriten edhe produktet e tjera që i duhen bujqësisë. Banorët e zonave rurale shprehen se me rritjen e çmimit të naftës menjëherë janë rritur çmimet e plehrave kimike duke shkuar nga 10 mijë deri në 14 mijë lekë të rinj për një kuintal. Të gjendur në këtë situatë ata shprehen se këtë vit do ta kenë të pamundur për të punuar tokat e tyre bujqësore, pasi kostoja e proceseve totale të punimit, mbjelljes e shërbimit të kulturave bujqësore është bërë e papërballueshme. Banorët kërkojnë që shteti të reagojë dhe të ndërhyjë pasi me këto çmime që janë aktualisht, e gjithë toka bujqësore në vendin tonë do të mbetet djerr.
Rritje të çmimeve kanë pësuar edhe farërat e kulturave të ndryshme bujqësore, ndërsa nga ana tjetër, fermerët thonë se nuk i kanë rritur çmimet e prodhimeve të tyre, duke bërë të kundërtën me atë që ndodh në tregun e karburanteve apo plehrave kimike.