Numri i infektimeve me koronavirus në Qarkun Dibër është rritur ndjeshëm ditët e fundit. Aktualisht numri i të infektuarve aktiv me këtë virus është afro 200 persona. Mati shënoi një numër të lartë infektimesh për dy ditë me radhë me nga 25 e 27 raste të reja të zbuluara brenda 24 orëve, ndërsa të dielën Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale raportoi vetëm 6 raste në Mat dhe 1 në Bulqizë.
Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor vijojnë hetimin epidemiologjik, ndërsa apelojnë qytetarët që të zbatojnë rregullat e karantinës në mënyrë që të parandalohet përhapja e mëtejshme e virusit.
Qarku i Dibrës vijon të jetë i parafundit në shkallë vendi sa i takon numrit të infektimeve aktive, me një total rastesh aktive prej më shumë se 13 300 në të gjithë Shqipërinë. Ministria e Shëndetësisë i kujton qytetarëve se respektimi i protokolleve anticovid është domosdoshmëri për mbrojtjen e shëndetit.
Vendosja e maskës është e detyrueshme në çdo ambient të mbyllur. Shmangni grumbullimet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni, për të kufizuar përhapjen e Covid-19. Nëse dyshoni se jeni të prekur nga COVID19 apo keni shenja të sëmundjes, izolohuni menjëherë dhe kontaktoni me mjekun tuaj të familjes për t’u testuar sa më parë ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin unik 127.