Reshjet e shirave të rëna gjatë kësaj jave kanë shkaktuar probleme edhe në rrugën nga Ura e Ulzës deri në qendër të qytezës.
Ndonëse ky është një aks i ndërtuar dy vite më parë me një vlerë mbi 2 milion euro, nuk i ka shpëtuar dëmtimit. Një masiv i madh dheu ka rënë në rrugë duke krijuar vështirësi për qarkullimin e mjeteve.
Shembja ka ndodhur në afërsi të hyrjes së Hidrocentralit, ndërsa vijon të bjerë në rrugë. Drejtuesit e mjeteve dhe banorë të zonës, jashtë kameras thanë se faji është që në ndërtim të rrugës pasi nuk është bërë në lartësinë e duhur muri i anës së sipërme. Për këtë shkak, dheu e balta bie në rrugën e asfaltuar.
Por jo vetëm kaq, në rrugë nuk ka asnjë lloj sinjalistike që të paralajmërojë drejtuesit e mjeteve me rrezikun që kanë teksa kalojnë në këtë segment. Kjo rrit edhe më shumë rrezikun e aksidenteve për të gjithë ata që udhëtojnë drejt qytezës së Ulzës, ku gjatë fundjavës numri i vizitorëve është më i madh.