Të gjithë qytetarët që janë pajisur me dokumente biometrike nga viti 2009 deri në vitin 2011 si dhe të gjithë ata që aplikojnë për herë të parë, do të duhet të ndjekin disa procedura. Ndryshe nga më parë, tashmë aplikimi për këto dokumente duhet të bëhet nëpërmjet portalit e-albania.al. Por për të bërë të mundur këtë, qytetarët duhet të jenë të regjistruar në këtë portal në mënyrë që të kenë akses në shërbimet që ofrohen aty. Pasi bëhet aplikimi në e-albania.al, të gjithë ata që duan të rinovojnë kartën e identietit apo pasaportën biometrike nëse ju ka skaduar, ose aplikojnë për herë të parë, duhet të rezervojnë pranë ALEAT, por edhe kjo duhet bërë online. Qytetarët duhet të futen në adresën zyrtare të kompanisë aleat.al dhe të rezervojnë ditën për të bërë aplikimin pranë zyrave të saj.
Procedura e aplikimit e rezervimit online është bërë për kushtet e krijuar nga pandemia Covid-19. Ndërkohë qytetarët që duan të kenë dokumente të sakta biometrike, duhet që të aplikojnë sa më shpejt, pasi një dokument i skaduar nuk do të ketë vlefshmëri për dokumente të tjera, apo për të ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet Parlamentare të 25 Prillit.