Pas ngritjes si problem në mënyrë të vazhdueshmet në edicionet tona informative, firma që po bën rikonstruksionin e plotë të rrugës nacionale Burrel – Klos ka rinisur punën. Vetëm një ditë më parë ishte Drejtori i Projekteve Mirëmbajtëse pranë firmës në fjalë Mihal Cico që deklaroi rinisjen e punimeve në një intervistë për Mat Televizion.
Aktualisht puna ka filluar në segmentin nga shkollat e Klosit në drejtim të Burrelit, aty ku në fund të vitit 2018 u asfaltua një gjatësi prej pak kilometrash. Mjetet e firmës po bëjnë heqjen e asfaltit të dëmtuar në këto muaj për të hedhur shtresën e re. burime pranë firmës, thanë se pas kryerjes së këtyre volumeve, do të bëhet asfaltimi përfundimtar.
Megjithatë, gjendja vijon të jetë e rënduar në segmentin tjetër nga Ura e Fullqetit deri në Burrel. Për këtë Drejtori i Projekteve Mirëmbajtëse Mihal Cico, deklaroi se mjete të tjera do të vijnë brenda kësaj jave.
Nga ana tjetër banorët që jetojnë përgjatë rrugës nacionale Klos – Burrel kanë paralajmëruar protesta nëse puna nuk rinis seriozisht për rikonstruksionin e plotë.