Në liqenet e Ulzës dhe Shkopetit tashmë lejohet gjuetia e peshkut. Ndalimi i sezonit të gjuetisë në këto dy basene ujore ishte nga data 20 Prill deri në fund të muajit Maj, periudhë e cila përkon me shtimin natyral të peshkut. Pas përfundimit të kësaj periudhe, të gjithë gjuetarët duhet të kryejnë aktivitetin e tyre në këto dy liqene sipas rregullave dhe ligjit për gjuetinë. Peshkatarët do të zhvillojnë aktivitetin e gjuetisë në zonat e përcaktuara dhe me mjete të ligjshme. Strukturat vendore të monitorimit të gjuetisë së paligjshme si nga ana e pushtetit vendor, policisë lokale inspektoriatit të peshkimit, janë në terren 24 orë, duke kryer kontrolle të befasishme. Këto struktura do të çojnë para ligjit të gjithë ata që gjuajnë me metoda të paligjshme si me dinamit, energji etj. Ekspertët thonë se këto metoda janë armiku më i madh i habitateve ujore, pasi shfarosin çdo gjallesë, duke i dëmtuar ato në masë të madhe. Në vitet e fundit në liqenet Ulëz e Shkopet janë hedhur nga Bashkia Mat e kompania KURUM një sasi prej rreth 200 mijë rasat me qëllimin që t’i shërbejë zhvillimit të mëtejshëm të këtij sektori. Dritan Kurti