Segmenti më problematik i rrugës nacionale Peshkopi – Tiranë mbetet ai Burrel – Skuraj. Ndonëse në të u ndërhy pak muaj më parë duke i mbushur gropat të cilat ishin kthyer në një problem të madh për përdoruesit e rrugës, ato janë rihapur sërisht. Po gropat nuk janë problemi i vetëm në këtë rrugë pasi në shumë pjesë të saj ka çedime të karrexhatës, të cilat pengojnë qarkullimin lirshëm të automjeteve. Më problem është për drejtuesit e mjeteve që nuk e njohin mirë rrugën apo që lëvizin në të për herë të parë. Muaj më parë, ARRSH bëri të ditur se do të ndërhyjë në këtë aks rrugor duke i bërë një rikonstruksion të plotë pjesëve më problematike. Pas ndërtimin të mureve mbrojtëse, pritej që në muajt e pranverës të niste puna. Por me krijimin e situatës së pandemisë nga koronavirusi, ky problem mbeti në heshtje. Aktualisht aksi rrugor Peshkopi – Tiranë është e vetmja nyje që lidh banorët e Qarkut Dibër dhe një pjesë të Maqedonisë së Veriut me kryeqytetin apo veri-perëndimin e Shqipërisë. Ajo që duan të dinë banorët e këtij qarku është nëse do të bëhet ndërhyrja në rrugë, pasi nëse situata vijon kështu, ajo do të kthehet sërisht në gangrenë.