Të vetmet përgjigje që kanë dalë deri më tani nga tre provimet e maturës shtetërore janë ato të lëndës së gjuhës së huaj. Maturantët e gjimnazeve në Bashkinë Mat, kanë testuar njohuritë në anglisht, italisht dhe frëngjisht.

Burime bëjmë me dije se në të gjitha gjimnazet e Bashkisë Mat ka patur maturantë me nota të larta në këtë provim të parë të maturës shtetërore për këtë vit. Për momentin përgjigjet maturantët i kanë nxjerrë sipas kodeve personale, ndërsa pritet që zyrtarisht të mbërrijnë edhe pranë Zyrës Vendore Arsimore Mat.

Edhe maturantët e Bashkisë së Klosit rezulton të kenë patur rezultate të kënaqshme në provimin e parë të maturës shtetërore pasi ka patur një numër të konsiderueshëm maturantësh të cilët kanë arritur të marrin notën maksimale në testin e lëndës së anglishtes. Afro 10% e maturantëve janë vlerësuar me notën maksimale dhjetë, ndërsa një pjesë shumë e madhe me 9 dhe 8. Vetëm katër maturantë nga 102 gjithsej nuk kanë arritur të marrin notë kaluese në këtë provim të parë të maturës shtetërore.

Deri tani maturantët janë testuar në lëndën e gjuhës së huaj, gjuhës shqipe dhe letërsisë si dhe në matematikë. Të hënën maturantët do të zhvillojnë provimin e fundit i cili është i lëndëve me zgjedhje.