Revista historiko-kulturore “Vatra e Lirisë”, organ periodik i Komitetit të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ, Mat, është në numrin e 10 të botimit dhe u bën jehonë krahinës së Matit dhe ngjarjeve të shënuara në të.

Në këtë numër të ri revista “Vatra e Lirisë” i kushton një hapësirë të zgjeruar ngjarjes së kremtimit më 21 tetor 2023 të 25-vjetorit të “Mat Televizion”, përmes një shkrimi nga Fatmir Neli, që do ta gjeni në faqet 31 dhe 32 të revistës.

Revista “Vatra e Lirisë” përmban dhe mjaft shkrime të tjera interesante për personazhe e ngjarje të rëndësishme që i kanë dhënë ose i japin vlerë Matit. Në këtë revistë do të gjeni shkrime që kanë autorësinë e penave të tilla si Sefer Duka, Hamdi Hysuka, Behar Gjoka, Sanie Meta, Renato Totraku, Gjon Keka, Mehmet Konica, Ramazan Sherja, Filip Rrumbullaku, Gjon Marku, Ramiz Fiçorri, Esat Ruka, Rifat Domi, Agron Malaj, Ahmet Gjoka, Ali Doda, Ilirjana Demirlika, Llesh Ndoj, Moikom Zeqo, Nertila Doda, Ali Gjoka, Avni Leka, Spiro Bushi, etj.

Ndërsa tërheqin vëmendjen e lexuesit shkrime të tilla “Veprimtari gjallëruese e organizatës së BPVPSH, dega Mat / Mati kështjella qëndrese djep i dijes dhe kuvendeve / Pse bota e quan vendin tonë Albania, / disa shkrime interesante kushtuar Skënderbeut /  Si u nda Shqipëria në 1913 / dy shkrime që përplasin rolin e figurave të Enver Hoxhës dhe Ahmet Zogut / Lufta e Shkallës së Deshëve / Ngjasime etnokulturore e tradicionale mes Matit e Mirditës / Roli i shqiptarëve në lëvizjen xhonturke / Njeriu dhe kuadri model zotëruesi e përçuesi i vlerave qytetare-kushtuar Rrapo Gjermenit / Vendi i bautit, i trimave dhe luftrave të guximshme / Dokumenti më i hershëm i gjuhës shqipe, / si dhe një sërë shkrimesh të tjera homazh kushtuar figurave matjane që dhanë jetë e kuntribuan për lirinë e pavarësinë dhe rimëkëmbjen e Atdheut.

Revista, që botohet nga historiani dhe studiuesi Sefer Duka, anëtar i Këshillit Kombëtar të OKDA dhe kryetar i Komitetit të Organizatës së Vetëranëve të LANÇ, Mat, Sefer Duka, dhe mban për redaktor përgjegjës Hamdi Hysukën, përmban edhe një sërë shkrimesh me karakter letrar, duke e bërë këtë organ mediatik matjan, më gjithpërfshirës.