Ndryshon moti duke marrë një kthesë të fortë në përshtatje me stinën ku jemi. Temperaturat e larta deri në 20° C të ditëve të para të vitit të ri 2022, u kanë lënë vendin reshjeve të dëborës. Gjatë natës së mbrëmshme këto reshje përfshinë tërë Dibrën. Në qytetin e Peshkopisë bora ka zbardhur çatitë, me një trashësi rreth 3 cm, ndërsa në lartësi mbi 800 metra dhe zonat e thella malore trashësia kalon mbi 10 cm. 

Situata rrugore vijon të jetë normale, kjo për shkak se bora nuk ka zënë shtresë në trupin e rrugës. Më problemtatike situata pritet të jetë në orët në vijim ku si pasojë e lagështirës dhe temperaturave që janë ulur ndjeshëm mund të ketë ngrica në rrugët që lidhin Peshkopinë me Kukësin në Kalanë e Dodës pasi rruga ngjitet në lartësinë 1.300 metra mbi nivelin e detit. Reshje dëbore ka pasur edhe në Rrugën e Arbrit, në baypassin e Murrizit pasi lartësia arrin në 1.260 metra, por pa krijuar probleme për qarkullimin automobilistik. 

Shkollat vijojnë rregullisht mësimin dhe nga informacionet që kemi marrë, deri më tani nuk mungon lënda drusore për ngrohje.

Furnizimi me energji elektrike vijon normalisht dhe nuk janë raportuar defekte as në zona të thella.