Reshje bore në Bulqizë e Dibër, por nuk ka probleme

0
38

Kjo e hënë ka sjellë ndryshim ekstrem të motit ku në Bulqizë e Dibër pati reshje dëbore në orët e para të ditës. Ndonëse intensiteti i reshjeve fillimisht ishte i lartë, nuk janë shfaqur problematika sa i përket qarkullimit të automjeteve.

Rruga Bulqizë – Peshkopi ishte e kalueshme pa probleme, ndërsa autoritetet ju bënë apel drejtuesve të automjeteve të qarkullojnë me kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

Edhe sa i përket zonave rurale, deri tani nuk ka raportime për bllokim të rrugëve ndërsa situata po monitorohet nga autoritetet vendore dhe firmat kontraktore. Nënprefekti i Bulqizës Avni Muliu tha se Mbrojtja Civile ka marrë masat për të përballuar çdo situatë të mundshme që vjen si pasojë e pranisë së dëborës.

Reshjet e borës kanë përfshirë edhe Dibrën. Edhe në këtë Bashki nuk janë shfaqur problematika që mund të ndikojnë në lëvizjen e banorëve drejt zonave urbane apo të pengojë procesin mësimor. Ndërkohë, temperaturat gjatë natës pritet të kapin vlera negative çka mund të krijojë ngrica në rrugë.