Mbrëmja e së Martës ka sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave në të gjithë vendin. Për pasojë verilindja është përfshirë nga reshjet e dëborës të cilat kanë rënë deri në 500 metra mbi nivelin e detit.

Trashësia e dëborës në qytetin e Peshkopisë arriti deri në 20 cm dhe në zonat e thella mbi 45 cm. Bashkia ka nisur punën fillimisht me pastrimin e rrugëve brenda qytetit të Peshkopisë. Rrugët nacionale Peshkopi – Tiranë dhe Peshkopi – Kukës janë të kalueshme, pasi për gjatë gjithë natës është punuar me borëpastruese. Probleme ka patur në rrugët e Njësive Administrative që lidhen me qytetin e Peshkopisë ku drejtuesit e mjeteve janë detyruar të përdorin zinxhirë. Në disa fshatra të Lurës mungon energjia elektrike.

Reshjet e dëborës përfshinë edhe gjithë territorin e Bashkisë Bulqizë. Ndonëse trashësia në qytet ishte e papërfillshme, në fshatrat e Njësive Shupenzë, Trebisht, Ostren e Zerqan, shkon deri në 30 centimetra.

Edhe Bashkitë Mat e Klos u përfshinë nga reshjet e dëborës. Njësia Administrative Xibër, fshatra të Njësisë Gurrë në Klos, u zbardhën me dëborë, por nuk u raportuan probleme. Po ashtu, edhe në fshatrat e Macukullit, Derjanit e Komsisë ka patur reshje dëbore, por jo probleme.