Të gjitha familjet që banojnë në lagjen nga pas burgut të Burrelit, pas komisariatit të Policisë Mat dhe pas Muzeut Historik, nuk do të kenë më probleme nga prania e ujërave të zeza në sipërfaqe.
Prej dy javësh Bashkia Mat ka nisur punën për rehabilitimin e të gjithë ujërave të ndotura në këtë zonë, për të zgjidhur përfundimisht gangrenën e krijuar prej vitesh për shkak se ujërat e zeza rridhnin në sipërfaqe. Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj tha se me këtë investim eleminohet ndotja nga ujërat e zeza në këtë zonë si dhe shmangen infeksionet e ndryshme.
Ndërkohë Malaj tha gjithashtu se po punohet edhe për ndërtimin e një impianti për filtrimin e ujërave të ndotura të qytetit të Burrelit, në mënyrë që papastërtitë të mos përfundojnë në lumin Mat e më pas në liqenin e Ulzës.
Procesi i rehabilitimit të ujërave të zeza në lagjen pas komisariatit të Policisë Mat është drejt mbylljes pasi janë vendosur të gjithë kolektorët.