“REFLEKTON” KURUM UL SHFRYTËZIMIN E UJIT PËR PRODHIM ENERGJIE, RRITET NIVELI I LIQENIT
Duket se kompania KURUM, që ka privatizuar HEC-et Ulëz e Shkopet, ka reflektuar pas lajmit të Mat Televizion në lidhje me rrezikun e shtimit natyral të peshkut në liqenet Ulzës e Shkopet. Shfrytëzimi në maksimum i ujit për prodhim të energjië elektrike kishte bërë që gjatë muajit Prill niveli i liqenit të ishte thuajse në pikën e vdekjes, duke vënë në rrezik një proces shumë të rëndësishëm për ekonominë nën ujore të Ulzës, që është hedhja e vezëve nga peshku Krap. Këtë proces ai e bën në cekëtinë me bimësi që është kryesisht zona e fshatit Rrethe Baz dhe ajo e Urakës. Në të dy këto zona niveli i ujit kishte mbetur vetëm në shtratin e lumit Mat, hapsirë kjo e pamjaftueshme për kryerjen e procesit nga ana e peshku. Ndërkohë, pas shqetësimit të ngritur në “Mat Televizion”, kompania duket se ka reflektuar ku ka kufizuar prodhimin e energjisë elektrike, duke bërë që niveli i ujit të rritet ndjeshëm në periudhën që bëhet shtimi natyral i peshkut në këto dy basene ujore. Shqetësues fakti në periudhën e moratoriumit të peshkut që ka nisur nga data 25 Prill deri në fund të muajit Maj mbetet gjuetia e paligjshme. Dyshohet se persona të papërgjegjshëm e shfrytëzojnë këtë periudhë për të peshkuar me rrjeta apo forma të tjera, ndërsa autoritetet paralajmërojnë ndëshkime të forta ligjore për këdo që kostatohet duke peshkuar.