E GJITHË LUGINA E MATIT NËN UJË, POR SHUMË PAK PUNOHET

E GJITHË LUGINA E MATIT NËN UJË, POR SHUMË PAK PUNOHET

Lugina e Matit është ndër të paktat toka bujqësore në të gjithë Qarkun Dibër që është e gjitha nën ujë dhe që nuk i mungon asnjë sezon. Kanali vaditës i Klosit, i cili furnizohet nga lumi Mat, bën që dhjetra hektar tokë bujqësore të kenë mundësinë për vaditje. Edhe pse temperaturat e kësaj vere kanë qenë ekstremisht të larta dhe thatësira ka bërë punën e saj kudo, në luginën e Matit është ndryshe. E gjithë lugina është e gjelbër, por shumë pak toka bujqësore janë punuar e mbjellur. Bujku Abdi Cani thotë se është mëkat që një luginë e tillë, e cila i ka të gjitha mundësitë për të prodhuar kultura të ndryshme bujqësore të lihet djerr. Por ai ka disa arsye për këtë. Arsyeja e parë, sipas bujkut Cani, lidhet direkt me largimin masiv të rinisë dhe e dyta janë çmimet e larta të çdo procesi bujqësor, farërave e kimikateve që nevojiten. Shumë pak parcela në këtë luginë janë të kultivuara me misër, ndërsa pjesa më e madhe e tyre ose janë lënë djerrë ose është kultivuar jonxhë për bagëtinë.