Kryetari i PS në Bashkinë Mat, Hasan Pasha ka reaguar në lidhje me vizitën e një dite më parë të drejtuesve të PD Mat tek protesta në Zall – Gjoçaj. Në një status në rrjetin social Facebook Pasha thotë se ishin ata që si përfaqësues të pushtetit vendor lejuan ndërtimin e këtij HEC-i.

Ja statusi i plotë…

Të bëjnë gjëmën dhe pastaj hedhin lot krokodili

Prej muajsh banorët e fshatrave Gjoçaj, Lami i Madh dhe Zallë Gjoçaj protestojnë duke kërkuar pezullimin e punimeve në HEC-in Zajs-Melth. Banorët e këtushëm nuk ishin lajmëruar se në Rrëshen, me 11 nëntor 2018, ishte organizuar një dëgjesë publike dhe se administratori në ikje i Rukajve Rasim Hoxha kishte firmosur ndërtimin e këtij HEC-i pikërisht në emër të banorëve të Selitës. Banorët nuk ishin në dijeni se disa persona të fshatrave Lufaj, Zajs, Lami i Madh, me banim në Tiranë e gjetkë, kishin firmosur pas Hoxhës. Kur banorët kuptuan se diçka po ndodhte pa dijeninë e tyre u interesuan pranë Bashkisë Mat, pranë ish kryetarit Nezir Rizvani. Ish drejtuesit betoheshin se nuk kishin dhënë leje ndërtimi dhe se ishin kundër HEC-it mbi lumin Flim.
Mirëpo ndodhi ajo që nuk pritej. Pak orë para largimit Bashkia Mat, ish kryetari, firmosi dhënien e lejes së ndërtimit, madje dallohej qartë se firma ndërtuese kishte paguar detyrimet ndaj pushtetit lokal, taksën e infrastrukturës.
Të ndodhur para këtij fakti të papritur banorët ndoqën dy rrugë demokratike, atë të protestës dhe iu drejtuan organeve të drejtësisë.
Ajo që bie në sy është fakti si pikërisht ata që firmosën për ndërtimin e HEC-it dhe dhanë lejen e ndërtimit udhëtojnë drejt Melthit dhe hedhin lot krokodili se po u dhimbsen banorët e këtushëm. Nuk e kuptoj si guxon Rasim Hoxha (zyrtar i PD-së Mat) të ngjitet në Melth gjasme për të mbështetur banorët, ndërkohë që ai është firmëtari i parë që kërkoi ndërtimin e HEC-it. Bashkëqytetarët e mi duhet t’i dallojnë këto mashtrues, këto shkelës të ligjit, këto politikanë të këqinj.
Për të faktuar ato që thamë më lartë po botojmë dhe shkresat e firmosura nga njerëzit e PD-së Mat !