Rekamë

Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj, hedh poshtë akuzat mediatike e politike të ngritura ndaj tij, duke i cilësuar si shpifje. Ai sqaron me fakte dhe dokumente se lejet për ndërtimin e HEC-eve janë dhënë nga administratat e mëparshme dhe se kompania e vëllait të tij nuk ka marrë tendera nga Bashkia Mat gjatë këtyre dy mandateve. Malaj i quan këto akuza përpjekje të opozitës për të baltosur punën e tij dhe premton vazhdimësinë e investimeve në interes të qytetarëve të Matit.

Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj, reagon kundër akuzave të ngritura ndaj tij si person dhe si drejtues i Bashkisë Mat në ne një emision investigativ.

Malaj sqaron me fakte e dokumente akuzat e ngitura në këtë emision për dhënie leje kompanisë “ARM” që administrohet nga vëllai i tij, për ndërtimin e një HEC-i në Madhesh. Kryebashkiaku Malaj, duke e cilësuar këtë një shpifje, sqaron opinionin publik se leja për këtë HEC është dhënë që në vitin 2018 nga Këshilli bashkiak dhe Bashkia Mat e drejtuar në atë kohë nga subjekti i Partisë Demokratike. Gjatë 2 mandateve të mija në krye të Bashkisë Mat, thotë Malaj, nuk është dhënë asnjë leje për HEC-e. Mbi të gjitha, thotë Malaj, akuzohem për një HEC imagjinar në Madhesh që nuk ekziston.

Akuzës së ngritur ndaj tij për betonizimin e HEC-it të Shutrisë, Malaj thotë se edhe këtë HEC e ka gjetur të miratuar kur ka marrë detyrën e kryebashkiakut. E njëjta gjë ka ndodhur, thotë Malaj edhe me HEC-in e Zall-Gjoçajt për të cilin akuzohet padrejtësisht, pasi thotë Malaj leja edhe për këtë HEC është dhënë në vitet 2017-2018 kur Bashkinë Mat e drejtonin demokratët. Përkundrazi, thotë Malaj, ajo që ka bërë Bashkia Mat nën drejtimin e tij është marrja e ujit nga burimet e Zall-Gjoçajve për t’i dhënë ujë 24 mijë banorëve të 17 fshatrave të Matit dhe të qytetit të Burrelit përmes ujësjellësit të ri.

Ndaj akuzatorëve kryebashkiaku i Matit thotë se duhet të shkojnë për ndjekje penale, pasi po helmojnë me akuza të rreme opinionin punlik.

Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj, i përgjigjet duke hedhur poshtë si të pavërtetë edhe akuzën tjetër e ngritur ndaj tij në emisionin investigativ “Piranjat”, ku akuzohet se kompania “ABG”, që ka punuar për llogari të biznesit që administrohet nga vëllai i tij, ka marrë tender në Bashkinë Mat, për një borxh 600 mijë euro.  Përmes fakteve dhe dokumenteve Malaj sqaron opinion publik se kompania “ABG” nuk ka marrë asnjë lloj pune nga Bashkia Mat. Por puna e kësaj Kompanie lidhet me AKUM në drejtorinë e Ujësjellës-kanalizimeve, e kontaktuar nga kompania “KUPA” për vetëm 10 % të punimeve. Dhe për këtë Malaj i referohet dokumentit zyrtar të kontratës së kompanisë “ABG”, ku nuk rezulton asnjë firmë e nënshkruar nga kryetari i Bashkisë Mat, apo administratës së saj, duke e quajtur tërë këtë akuzë, një baltosje.

Tërë këtë situatë të krijuar, kryebashkiaku Malaj ia faturon gjendjes ku sipas tij është katandisur forca kryesore e opozitës.

Malaj sqaron në fund se këtë prononcim në median lokale kundër baltosjeve të punës së kryetarit të Bashkisë Mat, ia ka detyrim qytetarëve matjanë dhe votuesve që e votëbesuan për dy mandate radhazi në krye të pushtetit vendor. Duke iu drejtuar qytetarëve matjanë Malaj u premton edhe njëherë se deviza e punës së tij, ashtu si deri më tani, janë punët e mira publike dhe investimet në interes të zhvillimit të Matit.