Rekamë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale një ditë më parë raportoi se në Mat ishte identifikuar një rast me Covid-19 të variantit Delta. Ndërkohë, burime pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Mat thanë se rasti në fjalë është paraqitur si i dyshuar që në muajin Qershor. Në këtë periudhë të konstatimit i është marrë tamponi për analizë dhe është dërguar në Tiranë ku më pas është dërguar në Gjermani për konfirmim. Pra rasti ka më shumë se një muaj dhe pas tij nuk ka asnjë rast të dyshimtë edhe tek familjarët e të të infektuarit. Megjithatë, autoritetet shëndetësore kërkojnë të bëhet kujdes dhe të mos neglizhohet asnjë shenjë e sëmundjes së koronavirusit.

Nga ana tjetër vijon vaksinimi në të gjitha pikat e ngritura për këtë proces në rrethin e Matit. Burime pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Mat, thanë se numri i qytetarëve të vaksinuar deri tani ka shkuar në 13 mijë. Ata ju bëjnë apel të gjithë qytetarëve mbi 18 vjeç që të paraqiten pranë pikave të vaksinimit për të marrë dozat e vaksinave që janë në vendin tonë.