Një person mbeti i lënduar mbrëmjen e kaluar në fshatin Zerqan të Bashkisë së Bulqizës. Burime bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 të mbrëmjes, ku e plagosur ka mbetur një 60-vjeçare.

Dyshohet se ajo është lënduar si pasojë e shpërthimit të gazit, i cili ishte akumuluar në banesë si rezultat i rrjedhjes së bombolës së gatimit.

60-vjeçarja Florina Navaku është dërguar nga komshinjtë me urgjencë në spitalin e Bulqizës për shkak të djegieve që kishte pësuar. Ndërkohë, bluzat e bardha thanë se 60-vjeçarja ka pësuar rreth 30% djegie në trup.

Nisur nga gjendja e rëndë shëndetësore, spitali i Bulqizës e ka dërguar në Tiranë për mjekim më të specializuar, ku mësohet se fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, ngjarja nuk është raportuar në media nga ana e policisë, por është marrë nga burime të tjera informimi.