Moti vijon të ketë të papritura gjatë javës së fundit. Pas një dite të nxehtë të 1 Korrikut ku temperaturat shkuan në vlerën e 39 gradë Celsius, kjo e martë ka qenë ndryshe. Pjesa më e madhe e vendit është përfshirë nga reshjet e shiut.

Edhe në rrethin e Matit reshjet ishin prezente gjatë mesditës me intensitet mesatar. Gjatë orëve të shiut nuk janë raportuar dëme as në bujqësi e as në infrastrukturën rrugore.

Ndërkohë, që reshjet zgjatën për pak minuta për t’ia lënë më pas vendin motit të qëndrueshëm. Temperaturat zbritën në vlerën 28 gradë Celsius dhe ato minimale në 16 gradë Celsius.

Por ky ndryshim nuk do të zgjasë shumë. Sinoptikanët parashikojnë që nga e Mërkura moti t’i rikthehet kthjellimeve dhe temperaturat të fillojnë të rriten.

Vlerat do të variojnë nga 30 e deri në 34 gradë Celsius në fundjavë, ndërsa ato minimale do të shkojnë në 20 gradë Celsius. Kjo do të thotë që për frekuentuesit e plazheve, fundjava premton sërish mot të favorshëm.