Bypassi i Murrizit është alternativa e vetme e drejtuesve të mjeteve që udhëtojnë nga Tirana në drejtim të Qarkut Dibër apo anasjelltas, nëse zgjedhin të përdorin rrugën e Arbrit.

Përveç problemeve në asfalt ku ka prani të madhe të gropave nga hyrja e tunelit në anën e Bastarit deri në hyrjen tjetër nga ana e Xibër Murrizes, ky segment është edhe i ngushtë ku dy automjete e kanë të vështirë të këmbehen.

Si të mos mjaftonte kjo, në anën e fshatit Xibër Murrize të Bashkisë Klos, janë hapur kanale të thella pasi vetëm njëra anë e rrugës është betonuar, ndërsa ana tjetër është mbushur me zhavor. Jashtë kameras, drejtuesit e mjeteve thanë se rrezikojnë të dëmtojnë makinat nëse përfundojnë në kanal i cili është më shumë se 30 centimetra i thellë.

Por kjo nuk është problematika e vetme pasi në anën e zhavorit ka nisur të dëmtohet edhe asfalti duke e bërë rrugën akoma më të ngushtë. Drejtuesit e mjeteve kërkojnë ndërhyrje nga ana e firmës për të betonuar edhe anën lindore të rrugës, në mënyrë që kalimi në të të jetë i sigurtë.

Për shkak se tuneli i Murrizit ende nuk është hapur për qarkullimin e automjeteve, të paktën edhe për 6 muaj të tjerë, bypassi i Murrizit do të jetë mundësia e vetme për të përdorur rrugën e Arbrit për të gjithë përdoruesit e kësaj rruge.