Kryeministri Rama publikoi një video mesazh në orën 13:00, atëherë kur hyri në fuqi edhe izolimi total, deri të hënën në orën 05:00.

Rama u shpreh se deri të hënën askush nuk do të dalë nga shtëpia, ndërsa prej të hënës, orari i lëvizjes dhe i punës së administratës do të jetë 05:00 deri në orën 13:00.

Kryeministri theksoi se, tashmë, nuk do të tolerohet askush. Shkelësit do të futen në një listë të zezë, tha ai, dhe ndaj tyre do të ketë disa penalitete, përfshirë edhe pensionistët.

“Nuk do të mjaftohemi më me gjoba, por policia do të mbikëqyrë lagjet në Tiranë dhe në Durrës si dhe në çdo zonë urbane, ku do të futen në një listë të zezë tradhtarët, të cilët do ta paguajnë shtrenjtë. Çdo thyerje e ligjit të luftës do të jetë një barrë e rëndë për ta, do t’u mohohet çdo lloj kompensimi, ndihme financiare, të paktën për një vit, çdo lloj burse, apo rimbursimi ilaçesh, edhe për pensionistët”, tha Rama.