Tridhjetë vite më parë afganët ishim ne, thotë kryeministri Edi Rama për Louise Callaghan të gazetës së njohur britanike ”The Sunday Times”.

Javën e kaluar, ndërsa në Tiranë u përhap lajmi se qindra refugjatë do të vinin së shpejti nga Afganistani, qyteti u zgjua nga trullosja e tij verore. Punëtorët ndërtuan çadra pranë pistës së aeroportit; ndërsa në qytet, konviktet universitare u rregulluan.

Ato ishin gati për të ardhurit e rinj: refugjatë afganë që Shqipëria ishte zotuar se do t’i priste, ndërsa ata po vlerësoheshin për t’u zhvendosur në SHBA.

Megjithatë, ende asnjë nuk ka mbërritur.

Ndërsa kaosi vazhdon të thellohet në aeroportin e Kabulit, zhgënjimi rritet në Tiranë dhe kudo në botë lidhur me keqmenaxhimin e dukshëm të evakuimit, saqë ka vështirësuar përpjekjet e vendeve dhe aktorëve të vegjël në veçanti për evakuimin e sigurtë të qytetarëve të tyre.

“Duket sikur atje nuk ka koordinim, nuk ka një qendër të përbashkët operacionale, nuk ka asgjë – vetëm secili për vete”, thotë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Shumë shtete po kërkojnë që të kenë një pikë të përbashkët kontakti e lëre më pastaj organizatat humanitare që nuk e dinë se kujt mund t’i drejtohen dhe ku gjatë gjithë kohës  marrin mesazhe kontradiktore”, shton ai.

Zyrtarët në Shqipëri, ushtarët e të cilëve kanë shërbyer në Afganistan si pjesë e misionit të NATO-s, si homologët e tyre në të gjithë botën, kanë punuar pa pushim këtë javë për të evakuuar shtetasit e tyre, aleatët afganë dhe stafin e tyre. Pavarësisht përpjekjeve të tyre, aeroplanët janë akoma bosh, pasagjerët e tyre nuk janë në gjendje të kalojnë turmat e mëdha që përpiqen të shkojnë në aeroport.

“Nuk ka ende asnjë mënyrë për t’i marrë njerëzit nëse nuk jeni një shtet i madh, madje edhe për to duket mjaft e rrëmujshme”, thotë Rama.

“Kjo është arsyeja pse të gjitha organizatat janë të bllokuara. Shtetet e mesme ose të vogla nuk janë në gjendje të evakuojnë njerëzit siç ishte planifikuar”, thekson ai.

Shqipëria, së bashku me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, ranë dakord këtë muaj për të marrë mijëra refugjatë afganë, ndërsa ata vlerësohen për t’u sistemuar më vonë në SHBA.

Megjithëse Shqipëria është ndër shtetet më të varfra të Evropës, Rama tha se e ndjente se ishte përgjegjësia e saj për të vepruar.

”Ndryshe nga shumë vende të tjera evropiane, për shqiptarët konflikti, uria dhe shpërngulja janë përvoja të një kujtese të vonë. Për brezin që është në pushtet në shumë vende të Evropës, lufta bëhet në Netflix – bardhë e zi. Për ne, lufta ka qenë shumë reale”, thotë Rama.

“Ne e kemi pasur luftën në pragun tonë. Ne kemi parë njerëz të vrarë dhe kemi pasur njerëz që njohim që janë vrarë”, shton ai.

Për dekada, nën sundimin e diktatorit stalinist Enver Hoxha, shqiptarët iu nënshtruan një represioni brutal pasi vendi u shndërrua në më të varfërin dhe më të izoluarin në Evropë.

Kur regjimi komunist ra në vitin 1990, pesë vjet pas vdekjes së Hoxhës, vendi u përfshi  nga valët e trazirave dhe dhunës.

“Për ne është shumë e qartë”, thotë Rama.

‘Ne kemi qenë afganë tre dekada më parë kur ikëm nga ferri ynë. Pra, tani ata janë shqiptarët e 30 viteve më parë dhe ne duhet të jemi atje si të tjerët ishin për ne”, shton ai.

”Shqipëria ka një histori mikpritjeje. Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte i vetmi vend i pushtuar në Evropë që doli me një popullsi më të madhe hebraike se sa kishte në vitin 1939. Asnjë hebre i vetëm nuk iu dorëzua nazistëve”, thotë Rama.

“Kjo është një nga faqet më të bukura të historisë sonë, sipas mendimit tim. Vendi prej tre milionë banorësh mund të marrë deri në 3 000 refugjatë afganë përmes skemës aktuale. Nëse ndonjë refuzohet për vizat amerikane, ose nuk dëshiron të zhvendoset, ata do të ishin të mirëpritur të qëndrojnë”, thotë ai.

Britania e Madhe, që ka një popullsi prej më shumë se 66 milionë banorësh, është zotuar të marrë 20 000 refugjatë afganë gjatë pesë viteve të ardhshme.

“Deri në një pikë të caktuar unë e kuptoj debatin në Evropë dhe BM në lidhje me imigracionin e paligjshëm. Unë e kuptoj zhgënjimin. Por, në të njëjtën kohë, kjo nuk do të thotë që gjithkujt që jeton në Afganistan dhe është i pakënaqur me talebanët të vijë në Evropë”, thotë Rama.

“Këtu bëhet fjalë për shpëtimin e jetës së atyre që punuan me aleatët e NATO-s, të cilët ishin atje për ne”, përfundon ai.