Menaxhimi i pandemisë në vendin tonë, sipas kryeministrit Edi Rama, ia kalon edhe atij që ka bërë Britania e Madhe.

Gjatë emisionit “Të Paekspozuarit”, në MCN TV, kur u pyet për strategjinë që ndoqi në përballjen me pandeminë që në valën e parë, Rama tha se ajo ishte më efektive se e Britanisë, ndërsa sa i takon fushatës së vaksinimit, tha se jemi të dytët pas Serbisë.

Pjesë nga intervista 

Nuk morët masa për ta mbyllur vendin në kohën e zgjedhjeve.

Ne kemi qenë vendi i dytë në Europë që kemi bërë mbylljen e shkollave. Ne prandaj shpëtuam. E di ça do ishte bërë këtu? Kataklizëm!

Na mbylle në mars me 3-4 vdekje, erdhën vdekjet dhe t’u bënë mullar. U rritën dhe ti nuk e mbylle vendin.

Më pëlqen ky timbri i prokurorit…

Është një debat botëror ekuilibri mes mbylljes dhe ruajtjes së ekuilibrave psikologjikë. Në raport me Britaninë, ne i kemi shifrat ku e ku më të mira, flas për frymë. Menaxhimi ynë është më i mirë se i Britanisë. Ishte një nga menaxhimet më të habitshme. Britania hyri në një avantazh të madh sepse siguroi vaksinimin masiv. Duke mos qenë pjesë e BE-së, negocoi vetë. Ne në rajon mbetemi në vendin e parë për menaxhimin. Për vaksinimin, Serbia filloi para nesh, pastaj jemi ne të dytët.