Kryeministri Edi Rama e ka nisur fjalën e tij në Asamblenë Kombëtare të PS duke kujtuar kohën kur ishin në opozitë dhe vështirësitë që kaluan për të fituar mandatin e tretë. Para deputetëve, Rama kërkoi që të punojnë fort për të fituar edhe mandatin e katërt.

Ndër të tjera, tha se nuk ka qenë asnjëherë më i trazuar pas një fitore politike, jo se ka herët e tjera e ka pasur fushë me lule, por sqaron se sa më shumë fiton, aq më shumë rrezikon të humbasësh sensin e vetëkorrigjimit.

Rama: Sot ndezim motorët e mandatit të tretë, sfida më e vështirë që kemi nisur së bashku shumë vite më parë. PD u rikthye në qeveri me vota pasi ishte larguar 8 vjet më parë mes zjarrit të një kryengritjeje popullore si fajtorja e madhe për humbjen marramendëse të kursimeve të të gjithë shqiptare. Ishte një parti që vuante humbjen demoralizuese, fryrjes nga dhjami i pushtetit dhe të sfilitjes nga lufta e brendshme. Një forcë politike pa disiplinë dhe orientim, e coroditur dhe besimhumbur.

U ngritëm me vështirësi duke u përpjekur të ripërtërihemi dhe për tu kthyer në krye të vendit si alternativë e re qeverisëse. Nuk ia dolëm dot, humbëm me një diferencë milimetrike. Ajo që duhet kujtuar dhe na ktheu pas 8 vjetësh dhe 880 peripecish në opozitë ishte këmbëngulja e madhe për t’ia dalë, për tu forcuar dhe përmirësuar në cdo hap të një rruge përpjetë. Arritëm të ndërtojmë një skuadër përfaqësuese duke krijuar një frymë fituese me një program pozitiv për Shqipërinë. Fituam mandatin e parë, u konfirmuam në të dytin dhe si askush më parë, u konfirmuam këtë herë për të tretën herë radhazi.

Kjo është fitorja më e vështirë që kemi arritur. Thjesht fakti që jemi ne të parët që e arrijmë flet për vështirësinë e kësaj fitoreje, por është edhe fitorja jonë më e vështirë për tu merituar. Ndryshe nga sporti kur fitoret meritohen kur arrihen, në politikë fitohen vetëm pasi arriten. Fitoret e zgjedhjeve janë beteja për fitore të vazhdueshme, për të kthyer kredinë e lartë të përfaqësimit që u japin borxh fituesve me votën e tyre. E vetëkuptueshme, herën e katërt do ta kemi më të vështirë se të tretën, por nuk e luan topi se detyra jonë është të bëjmë të pamundurën të rikonfirmohemi përsëri pas 4 vitesh. Miq, sot do t’ju flas shumë hapur dhe do t’ju them që nuk kam qenë asnjëherë më i trazuar pas një fitore politike se këtë herë. Jo se sfidat e mëparshme kanë qenë më të lehta, por sepses a më shumë gara fiton, aq më shumë rrezikon të humbasësh sensin e vetëkorrigjimit.