Kryeministri Edi Rama nga inaugurimi i godinës së re të ujësjellësit në Kamzë ka premtuar se brenda këtij viti shumë qendra urbane do të kenë ujë të pijshëm 24 orë në ditë. Në fjalën e tij Rama u shpreh se problemi i ujit pritet të zgjidhet më shpejt në Tiranë dhe në zonat e tjera rreth saj.

Brenda këtij viti do të kemi 24 orë ujë të pijshëm në një masë të madhe të qendrave urbane të Shqipërisë. Pastaj ambicia është që në këtë zonë, Tirana, Kamza dhe zona të tjera përreth të ketë një përfundim të problemit me ujë“, u shpreh kreu i qeverisë.

Më tej Kryeministri tha se ndërmarrjet e ujësjellësit historikisht kanë qenë pjesë e problemit pasi sipas tij përdoreshin për punë në shtet për militant e kushërinjtë.

Jemi akoma mbara, pasi ndërmarrja e ujësjellësve në shumë qytete janë pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes. Ndërmarrjet e ujësjellësit kanë qenë historikisht ndërmarrje për të punuar në shtet militant, krushq kushërinj“, tha Rama.

Ujësjellësi i Kamzës është një iniciativë e përbashkët e qeverisë shqiptare, gjermane, Bashkimit Europian dhe qeverisë zvicerane. Ky investim do t’i mundësojë furnizim me ujë të pijshëm dhe rrjet i ri kanalizimesh për 21 mijë banorë.