Edhe për katër vitet e ardhshme Bashkia Dibër do të drejtohet nga socialistët. Rahim Spahiu fitoi një mandat të plotë në zgjedhjet e së dielës duke mundur thellë rivalët e tij në këtë garë, Ismail Ukën nga koalicioni “Bashkë fitojmë” dhe Naim Gazideden nga Partia Demokratike. Spahiu arriti të marrë 16304 vota, Ismail Uka 6569 dhe Naim Gazidede 1267. Diferenca me kandidatin Uka është me 9735 vota. Në një dalje për mediat pas përfundimit të numërimit në të 99 qendrat e votimit, Rahim Spahiu falenderoi të gjithë ata që e votuan.
E pranishme në zyrtarizimin e fitores së kandidatit socialist Rahim Spahiu ishte edhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku e cila tha se me këtë rezultat qytetarët e gjithë qarkut Dibër treguan se duan të ecin përpara.