Fshati Rabdisht në Bashkinë e Dibrës është përzgjedhur që prej vitit 2018 si një nga 100 fshatrat turistik të vendit tonë. Për shkak të historisë, pozicionit gjeografik dhe resurseve natyrore, ky fshat ka marrë statusin e fshatit turistik ku janë planifikuar investime nga qeveria dhe pushteti vendor për të ndihmuar në rritjen e ekonomisë së zonës. Banorët e Rabdishtit thanë se investimi më madhor ka qenë asfaltimi i rrugës, e cila ka shkurtuar ndjeshëm distancën me qytetin e Peshkopisë dhe rrugën nacionale. Sipas tyre, tashmë vizitorët e kanë më të lehtë të mbërrijnë në Rabdisht, i cili ofron shumë shërbime të turizmit malor.

  Kryetari i Bashkisë Dibër, Rahim Spahiu tha se pas përfundimit të asfaltimit të rrugës nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, bashkia do të bëjë të tjera investime për ta bërë sa më tërhequr këtë fshat. Spahiu shtoi se fillimisht është nisur me gjelbërimin e rrugës e më pas do të bëhen trotuare si dhe në fundit do të ketë ndërhyrje edhe brenda fshatit me sistemin e ndriçimit.

Shumë prej banorëve të fshatit Rabdisht kanë nisur rikonstruksionin e banesave të tyre të vjetra të cilat do t’i kthejnë në shërbim të turizmit.