Duke qenë se të gjithë abonentët e qytetit të Burrelit janë lidhur me rrjetin e ri të furnizimit të ujit të pijshëm, mbajtja e çisternave në tarracat e pallateve është e panevojshme. Nisur nga kjo Bashkia Mat ka kërkuar mirëkuptimin e të gjithë atyre që kanë çisterna të vendosura mbi pallate ndërvite pasi jo vetëm janë të panevojshme për ujin e pijshëm i cili është 24 orë, por po dëmtojnë tarracat, duke u kthyer në problem për katet e fundit të pallateve. Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj kërkoi nga qytetarët që të zbatojnë kërkesën e bashkisë ose nëse e kanë të pamundur ta heqin vetë ta deklarojnë këtë dhe më pas do të jetë vetë bashkia që do t’i heqë. Por në këtë rast, çisterna që hiqet nga bashkia nuk i kthehet qytetarit, por inventarizohet nga institucioni.

Në lagjen “Pjetër Budi” qytetarët kanë nisur prej ditësh që të heqin çisternat pas kërkesës së Bashkisë Mat, por edhe pse tashmë janë të panevojshme.