Prezenca e qenëve endacakë në qytete prej vitesh është kthyer në një problem serioz për qytetarët. Por situata bëhet ende më e rëndë kur këto qen qëndrojnë pranë institucioneve të kujdesit shëndetësor. Dhjetra qen endacakë qëndrojnë pranë spitalit Rajonal të Dibrës, duke u bërë jo vetëm një rrezik për pacientët apo qytetarët që shkojnë për të marrë shërbim, por edhe një burim infeksioni. Vetë qytetarët dibranë shprehen se prania e këtyre qenëve të pavaksinuar është një problematikë shumë serioze e cila duhet të marrë menjëherë vëmendjen e instancave përgjegjëse. Ata thonë se këto kafshë endacake janë burim i madh infeksioni. Veç rrezikut për infeksion, ata janë edhe agresiv, duke rrezikuar jetën e qytetarëve e sidomos të moshuarve dhe fëmijëve që frekuentojnë spitalin Rajonal në qytetin e Peshkopisë. Agresiviteti i këtyre qenëve është i dukshëm, pasi çdo qytetar që kalon pranë tyre, i vërsulen për ta kafshuar.