Kjo është godina e Qendrës Shëndetësore të Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit. Kjo godina prej disa vitesh është jashtë funksionit për shkak të amortizimit të madh të saj. Të paktën prej vitit 2019, pas lëkundjeve të tërmetit të fuqishëm të nëntorit të atij viti, stafi mjekësor u zhvendos nga ky objekt i cili ju rrezikonte jetën. Muret e çara, dysheme e deformuar, e tavane të plasaritura e bënte qëndrimin e personelit shëndetësor të pasigurtë, ndaj dhe u zhvendos në një nga hapsirat e shkollës së mesme të Bashkuar Xibër. Objekti i ri pret nxënësit gjatë vitit shkollor dhe gjatë gjithë vitit kalendarik pret edhe pacientët që paraqiten për të marrë shërbime të ndryshme shëndetësore aty. Banorët thonë se dikur kjo qendër ka patur një personel të madh dhe ofronte shumë shërbime, ndërsa sot është izoluar në një klasë shkollore. Ish Administratori i Xibrit, Fitim Hoxha, thotë se për këtë objekt i është bërë e ditur disa herë Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve të tjera.

Në mungesë të kushteve për një qendër shëndetësore, banorët e Xibrit detyrohen të udhëtojnë drejt Klosit apo Tiranës.