Instituti i statistikave ka publikuar raportin e tre mujorit të parë të këtij viti për lindjet në 12 Qarqet e vendit. Nga tabela e instat rezulton që Qarku Dibër të radhitet i gjashti për numrin më të vogël të lindjeve për tremujorin e parë të këtij viti. Për tre muajt e parë të vitit 2019 në Qarkun Dibër janë regjistruar 353 lindje. Sipas të dhënave të instat numri i vdekjeve ka rënie për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në tre muajt e parë të këtij viti në Qarkun Dibër janë shënuar 266 vdekje.
Sa i përket numrit të lindjeve, situata shihet problematike nga ekspertët të cilët e lidhin me shumë faktor, ku më kryesori mbetet ai social. Sipas ekspertëve, tendenca e familjeve të reja është të mos kenë shumë fëmijë. Nga të dhënat e siguruara nga Mat Televizion në zyrat qendrore të gjendjeve civile në Bashkitë Mat e Klos, rezulton se për periudhën nga 1 Janari deri me 15 Maj, numri i lindjeve është shumë i vogël. Megjithëse numri nuk është krejtësisht i saktë pasi mund të ketë nëna që nuk kanë qenë të siguruara për të përfituar raportë, numri i tyre që kanë lindur në maternitetin e Burrelit dhe maternitete të tjera, për të cilat është dorëzuar çertifikatë llindje, për periudhën 1 Janar – 15 Maj, rezulton 72 fëmijë në Bashkinë Mat me rreth 31 mijë banorë dhe 42 fëmijë në Bashkinë Klos me rreth 21 mijë banorë.
Sipas ekspertëve, numri shumë i ulët i lindjeve është reflektuar ndër vite edhe në arsim ku ka patur mbyllje masive të shkollave për shkak të mungesës së nxënësve.