Qafa e Buallit, një pikë nevralgjike kjo që ndan Klosin me Bulqizën, pushtohet nga tonelata mbeturinash
Ato janë përhapur dhe në kullotat e pyjet përrreth.
Kjo panoramë ngjan si një dekor i krijuar artificialisht nga Njeriu në dëm të natyrës, në kundërshti të plotë me panoramën e para viteve ‘90 ku dekori ishte krejt i lulëzuar nga natyra e gjallë.
Këto mbeturina hidhen si pa të keq nga bashkia e Bulqizës, duke shkakrkuar mbetjet urbane në këtë pikë natyrore të frekuentueshme.
Dy muaj më parë një fadromë e kontraktuar nga bashkia Bulqizë mbulonte me dhe’ këto mbeturina, por që prej atëhere kjo nuk ndodh më duke bërë që mbeturinat, përfshirë këtu edhe mbetjet spitalore, të bëjnë festë nën dirigjimin e erës së fortë që fryn në Qafë të Buallit dhe që i shpërndan duke i rikthyer deri në qytetin e Bulqizës.
Qafa e Buallit është një pikë natyrore e përzgjedhur nga banorët vendas si log ku festohen tradicionalisht ditët e verës, gjë që do të thotë se këtë herë ata do të ndeshen me këtë realitet krejt të padenjë për festime të tilla.
Por ato që përballen më së shumti me këtë realitet të trishtë janë minatorët e Bulqizës, të cilët dy herë në ditë “përshëndeten” me këtë ndotje masive, sikur të mos mjaftonte ndotja nga gazrat e thellësive të nëntokës.
Për problemin në fjalë gazetari ynë u interesua pranë Drejtorit të Shërbimeve Bashkiake në Bulqizë, por nuk gjeti gatishmërinë e tij për të marrë një përgjigje zyrtare për zgjidhjen e kësaj situate.