Që prej muajit Shkurt të këtij viti në njësinë administrative Suç në Bashkinë e Klosit ka nisur ndërtimi i ujësjellësit që do të përfshijë të gjithë fshatrat e kësaj njësie. Pas ndërtimit të linjës kryesore firma ka bërë të mundur edhe ndërtimin e veprave të artit, ndërsa kohët e fundit ka nisur riparimet e të gjitha rrugëve ku ka ndërhyrë për të futur tubacionet.
Mbikqyrësi i punimeve si përfaqësues nga bashkia e Klosit, Festim Hajri tha se puna ka vijuar normalisht dhe pa pengesa. Ndërkohë sipas tij, firma jo vetëm ka sistemuar rrugët në të cilat ka ndërhyrë për të shtrirë linjat e tubacionave të ujit të pijshëm, por ka kontribuar edhe në shtrimin e rrugëve të tjera të njësisë me zhavor.
Projekti për ndërtimin e ujësjellësit të ujit të pijshëm në Njësinë Administratiove Suç në Bashkinë e Klosit është i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Klos. Ai kap vlerën e rreth 2.3 milion eurove dhe duhet të përfundojë brenda muajit Shkurt të vitit të ardhshëm.