Rruga e Arbrit dalëngadalë po shkon drejt ndërtimit të plotë të trasesë edhe në njësinë administrative Xibër në Bashkinë e Klosit. Fillimisht traseja ishte hapur për të kaluar mjetet tek tunelet në afërsi të urës së Fshatit Fshat e tek tuneli i fshatit Xibër – Murrize që del në fshatin Bastar të Bashkisë së Tiranës. Mat Televizion sjell pamjet me dron të gjurmës së rrugës së Arbrit në fshatin Shkallë, ku duket qartë puna intensive për ndërtimin e trasesë përfundimtare të kësaj rruge. Ndërkohë puna pa ndërprerje po vijon edhe për ndërtimin e urës që lidh fshatin Fshat me fshatin Shkallë të Xibrit. Kjo urë do të jetë më e lartë se ajo mbi urën e Vashës, por do të ketë më pak gjatësi. Në disa segmente është hedhur shtresa e parë e asfaltit, megjithëse puna ende nuk ka përfunduar. Në lotin ura e Çerenecit Maqellarë po punohet për ndërtimin e nënkalimeve, ndërsa pritet të hidhet shtresa e fundit e asflatit si dhe të vendoset sinjalistika. Puna më e madhe për momentin mbetet në njësinë administrative Xibër, ku ende nuk ka nisur asfaltimi nga fshati Shkallë deri tek tuneli i Murrizes.