Të gjithë ata maturant të cilët gjatë sezonit të parë nuk kanë arritur të marrin notë kaluese në provimet e maturës shtetëtore do të kenë mundësinë t’i rijapin ato në sezonin e vjeshtës. Por jo vetëm maturantët mbetës, por edhe maturantët që për arsye të ndryshme nuk janë paraqitur në datat e Qershorit, kanë mundësinë të futen në datat e përcaktuara nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në fund të muajit Gusht e fillim të muajit Shtator.

Zyra Arsimore Vendore Mat, tashmë ka shpallur edhe datat e provimeve, ku provimi i lëndës së gjuhës së huaj do të jepet me datë 27 Gusht, Gjuhë Shqipe me 30 Gusht, Matematikë me 3 Shtator dhe provimi me zgjedhje do të jepet me datë 6 Shtator.

Mësohet se maturantët e gjimnazeve të Bashkisë së Klosit dhe ato të Bashkisë së Matit, do të përdorin ambjentet e gjimnazeve të qytetit të Burrelit për zhvillimin e këtyre provimeve. Ndërkohë, maturantët duhet të paraqiten me letërnjoftim me vete, ndryshe nuk lejohen të futen në provim. Po ashtu, mospjesmarrja në këtë sezon, bën që maturanti të kalojë automatikisht për provimet e maturës shtetërore në fund të vitit të ardhshëm shkollor.