Të enjten, Zyra Vendore Arsimore Klos thirri në një mbledhje të veçantë drejtuesit e shkollave, për t’i njohur me porositë më të fundit të dhëna nga Ministria e Arsimit dhe QSHA-ja për organizimin e provimeve të Maturës Shtetërore. Drejtoresha e ZVA Klos, Teuta Karaj njoftoi se këtë vit, për shkak të kushteve të pandemisë ku ndodhet vendi, provimet maturantët do t’i zhvillojnë pranë shkollave të tyre, ndërsa ritheksoi për zbatimin me rigorizitet të rregullores së Provimeve të Maturës shtetërore dhe të masave anticovid në ambjetet ku do të zhvillohen Provimet. Ndërsa Specialisti i Kurrikulës pranë ZVA Mat, Urim Doçi, theksoi para drejtuesve të shkollave të Bashkisë Klos detyrat e Përgjegjësit të Administrimit të Provimit, të Drejtorit të Shkollës ku kryhet Provimi i Maturës shtetërore, të Administratorëve të Provimeve dhe të Përgjejësit të katit. Kujdes i veçantë do të bëhet edhe për kontrollin e telefonave celularë tek maturantët dhe personeli i administrimit të Maturës shtetërore. Për këtë pikë, si asnjë vit tjetër, maturantët do të ndëshkohen me humbjen e të drejtës së dhënies së të gjithë provimeve të Maturës Shtetërore për një vit. Por penalizime do të ketë edhe për mësuesit që janë në administrimin e këtyre provimeve, deri në largim nga puna, nëse shkelin Rregulloren e Provimeve, apo thyejnë Urdhërin e Eprorit.