Nisur nga shqetësimet  e banorëve të  fshatit Suç për  problemin e shkollës së Mesme të Bashkuar “Haxhi Lata”,  jemi në dijeni dhe i japim të drejtë shqetësimit të tyre.

Ju sqarojmë se me rënien   e tërmetit të 26 nëntorit 2019 bashkia Klos ngriti grupin e verifikimit të banesave dhe objekteve të dëmtuara ku pjesë e së cilave ishte edhe ndërtesa e Shkollës së Mesme të Bashkuar Haxhi Lata Suç.

Nga akt-konstatimet e grupit të punës rezultoi se tërmeti kishte shkaktuar dëme të konsiderueshme duke e kthyer në një ndërtesë jo të sigurt. Për këtë arsye u kërkuar asistencë teknike për një ekspertizë  më të thelluar, ku bashkia Klos depozitoi kërkesë pranë Institutit të Ndërtimit Tiranë me datë 31.12.2019, gjë që u realizua me akt-ekspertizën e thelluar të Institutit të Ndërtimit Tiranë. Në këtë akt-ekspertizë  me Raportin Nr.1559 prot, datë  02.07.2020, Shkolla e Mesme “Haxhi Lata” Suç është vlerësuar me rrezik  për dëmtimin e shëndetit dhe humbjen e jetës së njërezve.

Menjëherë pas vlerësimit nga Instituti i Ndërtimit morëm masa për hartimin e një projekti rikonstruksion/ndërtim për objektin e shkollës së Mesme të Bashkuar Haxhi Lata Suç, gjë që u realizua. Më pas i jemi drejtuar me shkresa zyrtare Ministrisë së Shtetit për   Rindërtimit, Ministrisë së Arsimit si dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit për ndërhyrje urgjente në objektin e shkollës së Suçit.  Në përgjigje të shkresës sonë, Ministria e Shtetit për Rindërtim na bën me dije se objekti Shkolla e Mesme Haxhi Lata Suç nuk mund të përfshihet në programin e rindërtimit pasi Qarku Diber nuk është vlerësuar si Qark Emergjence bazuar në vendimin  Nr.750 datë; 27.11.2019  “Për shpalljen e Gjendjes së Fatkeqsisë Natyrore në Qarqet Durrës, Tiranë, e Lezhe”.

Në mënyrë të përsëritur  bashkia Klos i është drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Rinisë për financimin e këtij objekti, por reagimi i ministrisë ishte që fondet për vitin 2020 janë shpërndarë nga Minstria e Shtetit për Rindërtim.

Të gjendur në këto kushte ju drejtuam me shkresë prefektit të Qarkut Dibër, Ministrisë së Arsimit  dhe Rinisë, Fondit Shqiptar të Zhvillimit që në objektet e infrastrukturave arsimore prioritet për  vitin 2021 të jetë objekti I Shkollës së Mesme Haxhi Lata Suç.

Gjatë takimit të dëgjesave publike për vitin 2021 i gjithë komuniteti u vu në dijeni të situatës që ndodhet objekti  arsimor.

Ju  bëjmë thirrje  banorëve të Njësisë Administrative Suç të  ruajnë qetësinë, pasi nga ana e bashkisë Klos nuk   do   mungojnë përpjekjet për  kthimin e këtij objekti në funksion të banorëve të komunitetit. Ndërkohë bashkia Klos do të kujdeset maksimalisht që procesi mësimor të vazhdojë në shtator për nxënësit e kësaj shkolle.