Promovohet libri "mësuesi i parë në Mat, Abdurrahman Përmeti" i autorit Hasan Pasha

Promovohet libri "mësuesi i parë në Mat, Abdurrahman Përmeti" i autorit Hasan Pasha

E marta e 26 majit u kthye në një ditë feste dhe kujtese historike në Lis të Matit, ku në oborrin e Shkollës së Mesme të Bashkuar “Abdurrahman Përmeti” u promovua libri më i ri monografik i autorit matjan Hasan Pasha, “Mësuesi i Parë në Mat, Abdurrahman Përmeti”. Aktiviteti mblodhi së bashku mësues, nxënës, deputetin Agron Malaj, Kryetarin e Bashkisë Mat Altin Bojni, përfaqësues të arsimit dhe kulturës, të Klubit Letrar "Pjetër Budi" Mat, përgjegjësen e Bibliotekës Publike Mat Fiqerete Kurti, si dhe pasardhës të familjes Përmeti dhe komunitetin lokal. Veprimtaria u moderua nga drejtoresha e shkollës “Abdurrahman Përmeti”, Afërdita Heta Bruçi, e cila vlerësoi rëndësinë që ka kjo monografi për kujtesën historike dhe edukimin e brezave të rinj. ............. Në fjalët përshëndetëse, deputeti Agron Malaj dhe kryetari i Bashkisë Mat, Altin Bojni, theksuan se figura e Abdurrahman Përmetit mbetet një simbol i dijes, patriotizmit dhe sakrificës për gjuhën shqipe, ndërsa libri i Hasan Pashës shërben si një kontribut i rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe arsimore të krahinës. Në diskutimet rreth librit, sekretari i Klubit Letrar “Pjetër Budi” Mat, Fatmir Neli, u ndal te vlerat historike dhe dokumentare të botimit, duke e cilësuar veprën si një dëshmi të rëndësishme për rrënjët e arsimit matjan dhe për figurat që ndërtuan themelet e dijes kombëtare. Më pas, botuesi i gazetës “Mati”, shkrimtari dhe publicisti Qemal Cenaj, si dhe shkrimtarja Elona Basha, vlerësuan punën hulumtuese të autorit dhe rëndësinë që ka ky botim në pasurimin e fondit të monografive historike shqiptare. Një përshëndetje falenderuese për autorin Hasan Pasha dhe për figurën e Abdurrahman Përmetit erdhi edhe nga përfaqësues të trashëgimtarëve të familjes, mes tyre nipi Gani Përmeti, i cili shprehu mirënjohjen për ruajtjen dhe përcjelljen e kujtesës së të parëve. Në mbyllje të aktivitetit ishte edhe fjala përshëndetëse e vetë autorit Hasan Pasha, i cili u shpreh se kjo vepër është fryt i një pune të gjatë kërkimore dhe një detyrim moral për të mos lënë në harresë figurat që i shërbyen arsimit dhe kombit. Libri sjell jo vetëm figurën e mësuesit dhe drejtuesit të parë të arsimit në Mat, por edhe dimensionin e tij si historian, poet dhe njeri i kulturës. Vepra i shërben njëkohësisht arsimtarëve, studiuesve, historianëve dhe çdo lexuesi që dëshiron të njohë themelet e mbruijtura me plotë sakrificë e vetmohim të arsimit kombëtar. Aktiviteti i promovimit në Lis — në oborrin e shkollës që mban emrin e protagonistit të librit — përçoi në vetvete një simbol i fuqishëm: se dija që Abdurrahmani Përmeti mbolli mbi një shekull më parë vazhdon të lulëzojë me plot dinjitet.