PROMOVOHET LIBRI “LOJËRA POPULLORE - MATI” I AUTORIT ESAT RUKA - “MJESHTËR I MADH”
Artisti i mirënjohur matjan dhe mbajtësi i titullit “Mjeshtër i Madh”, Esat Ruka, po prezantohet kohët e fundit para publikut jo vetëm si këngëtar e promovues i kulturës popullore, por edhe si autor librash studimorë. Botimi i tij më i ri, “Lojëra Popullore Mati”, u promovua në ambientet e Shkollës së Mesme të Bashkuar “26 Korriku” në Bruç, vendi ku vetë autori hodhi hapat e parë në veprimtaritë kulturore shumë dekada më parë. Promovimi në Bruç nuk ishte i rastësishëm. Një pjesë e rëndësishme e ilustrimeve të librit janë realizuar me pjesëmarrjen e nxënësve të kësaj shkolle, të cilët kanë interpretuar dhe demonstruar lojërat tradicionale të përfshira në botim. Drejtori i shkollës, Argjend Canameti, e cilësoi librin si një kontribut të çmuar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe një vlerë të shtuar për brezat e rinj. Në fjalën e tij, autori Esat Ruka falenderoi nxënësit dhe stafin pedagogjik për bashkëpunimin, duke theksuar se pa përfshirjen e tyre nuk do të ishte e mundur pasqyrimi kaq autentik i shumë lojërave popullore. Ai vlerësoi interesimin e të rinjve për traditat dhe rëndësinë e ruajtjes së tyre. Më pas, gjatë një bashkëbisedimi me mësuesit e shkollës, Ruka theksoi se lojërat popullore përbëjnë një pjesë të rëndësishme të identitetit kulturor shqiptar dhe se dokumentimi i tyre në formë të shkruar është mënyra më e sigurt për t’ua përcjellë brezave të ardhshëm. Libri përmbledh 145 lojëra tradicionale, nga të cilat rreth 70 i përkasin veçanërisht krahinës së Matit, duke e kthyer këtë botim në një pasuri të rëndësishme etnografike dhe kulturore.