10 VJET “MUZA POETIKE BUDIANE” KLUBI LETRAR “P. BUDI” ZHVILLON NË BURREL FESTIVALIN KOMBËTAR TË POEZISË

10 VJET “MUZA POETIKE BUDIANE”  KLUBI LETRAR “P. BUDI” ZHVILLON NË BURREL FESTIVALIN KOMBËTAR TË POEZISË

Klubi Letrar “Pjetër Budi”, Mat, zhvilloi më 5 shtator 2026, në Pallatin e Kulturës në Burrel, edicionin e 10-të jubilar të Festivalit Kombëtar të Poezisë “Muza Poetike Budiane”, duke mbledhur poetë, shkrimtarë, studiues, artistë dhe përfaqësues të institucioneve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora. Veprimtaria u organizua nga Klubi Letrar “Pjetër Budi”, Mat, dhe iu kushtua poezisë, krijimtarisë letrare dhe figurës së Pjetër Budit, në 460-vjetorin e lindjes së tij. Festivalin e hapi Himni Kombëtar, i cili u pasua nga një valle artistike e QKF Mat dhe fjala e mirëseardhjes së kryetarit të Klubit Letrar “Pjetër Budi”, Mat, Hamdi Hysuka. Më pas, programi vijoi me videomontazhin “Nëntë festivale, një rrugëtim poetik”, i cili solli në vëmendje historikun e nëntë edicioneve të mëparshme. Në skenën e Pallatit të Kulturës u përshëndetën kryetarët e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Shyqri Galica dhe Mujë Buçpapaj. Gjithashtu, studiuesi Behar Gjoka, themelues dhe drejtues i Qendrës Shqiptare të Studimeve Letrare “Pjetër Budi”, Tiranë, solli një përshëndetje në këtë përvjetor të veçantë. Një pjesë e rëndësishme e programit ishte promovimi i veprave të reja letrare, mes tyre “Shtegu i mbramë” i Liljana Ceni, “Shtigjet e përgjakura” i Ali Dacit dhe “Udhët e mërgimit” e përgatitur nga Trandafile Molla. Më pas nisi ora poetike, e cila u paraqit si një hapësirë takimi mes poetëve dhe krijimeve të tyre, ndërsa çdo interpretues u vlerësua me Çmimin Letrar Jubilar të festivalit. Në skenë u interpretuan dhjetëra krijime poetike, ndër të cilat edhe poezitë fituese të çmimeve të para të nëntë edicioneve të mëparshme, ndërsa programi u ndërthur me momente muzikore. Edicioni i dhjetë jubilar u përmbyll me një sërë çmimesh dhe titujsh nderi. Çmimi Letrar “Pjetër Budi” iu akordua Hekuran Halilit për poezinë “Unë dhe Çamëria”, ndërsa Çmimi Letrar “Hamit Aliaj” iu dha Ali Dacit për poezinë “I njeh shqipja bijtë e vet”; Çmimi i Karrierës iu akordua Behar Gjokës dhe një tjetër Çmim Karriere, në mungesë, iu dha Flora Brovinës. Titulli “Anëtar Nderi i Klubit Letrar ‘Pjetër Budi’ Mat” iu akordua Mujë Buçpapajt, Sunai Raimit dhe Namik Dokles. “Muza Poetike Budiane” vijon të përmbushë kështu misionin e saj si një vatër e promovimit të poezisë dhe kulturës shqiptare, duke bashkuar krijuesit shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve dhe duke përcjellë te brezat e rinj vlerat e fjalës, identitetit dhe trashëgimisë kombëtare.