Ditën e mërkurë, në Pallatin e Kulturës “Shefqet Doda” në Burrel, Klubi Letrar “Pjetër Budi” në bashkëpunim me Bibliotekën Publike Mat, organizuan promovimin e librit të 14-të të autorit matjan, Ramiz Fiçorri, “Lugina e Matit në pikpamje turistike”. Në fjalën promovuese të këtij libri, kryetari i Klubit letrar, shkrimtari Hamdi Hysuka, tha se ky botim synon të shërbejë si një guidë për të zbuluar pasuritë natyrore, historike dhe kulturore të trevës sonë.
Në këtë promovim morën pjesë personalitete të njohura si nënprefekti i Matit Hasan Pasha, nënkryetari i Bashkisë Mat Myslym Zeneli, drejtori i Zyrës Vendore Arsimore Mat Lefter Salaj, përgjegjësja e Bibliotekës Publike Fiqirete Kurti, historiani Sefer Duka, si dhe shkrimtarë, mësues, intelektualë dhe qytetarë të shumtë.
Gjatë fjalimeve, oratorët vlerësuan kontributin shumëdimensional të Ramiz Fiçorrit, duke e cilësuar atë një figurë emblematike për historinë dhe kulturën e Matit. Përmes librave të tij, u tha në këtë takim promovues, Fiçorri ka pasqyruar historinë, traditat dhe zhvillimin e kësaj treve, duke shndërruar veprat e tij në një trashëgimi të vyer për brezat e ardhshëm.
Në fjalën e tij, Autori 82-vjeçar Ramiz Fiçorri, theksoi se misioni i tij ka qenë gjithmonë promovimi i kulturës dhe dijes në Mat. Ai shtoi se libri i tij i ri përbën një përmbledhje të punës së tij të mëparshme, duke ofruar një pasqyrë të plotë për zhvillimin turistik të zonës.
Në përfundim të promovimit, u theksua rëndësia e integrimit të këtij libri në kurrikulat shkollore dhe diskutimet e rrjeteve profesionale, për ta bërë një burim të vlefshëm për edukimin dhe promovimin e turizmit në Mat.