Promovohet libri “Dr. Sali Kurti, ikona e stomatologjisë shqiptare”
Është zhvilluar këtë të shtunë në ambjentet e pallatit të kulturës “Shefqet Doda” të qytetit të Burrelit, promovimi i librit monografik “Dr. Sali Kurti, ikona e stomatologjisë shqiptare”, me autor shkrimtarin Hamdi Hysuka. Aktiviteti, i cili u moderua nga gazetari Defrim Met’hasani, kishte mbledhur intelektualë të fushave të ndryshme, familjarë e miq të mjekut stomatolog Sali Kurti. Fillimisht të pranishmit u njohën me një dokumentar prej 20 minutash mbi rrugëtimin jetësor e profesional të mjekut të mirënjohur stomatolog doktor Sali Kurti. Jeta e mbushur në sfida e arritje u shfaq nëpërmjet këtij dokumentari me rrëfmime personale e të atyre që e njohën. Më pas, një recencë të monografisë “Dr. Sali Kurti, ikona e stomatologjisë shqiptare”, e mbajti redaktorja e këtij libri, Jolanda Lila. Mbi figurën veprën dhe kontributin e doktor Sali Kurtit folën edhe Kryetarja e Këshillit Bashkiak Mat, Anila Stafasani dhe Nënprefekti i Matit Hasan Pasha. Kantautori Esat Ruka e të ftuar të tjerë ndanë momente të njohjes më doktor Sali Kurtin, duke vlerësuar tek ai shpirtin human. Aktiviteti mori ngjyrat e një feste me interpretimet e valleve të krahinës nga grupi i vajzave të ansamblit Mati, këngëtares Jola Muça dhe instrumentistit Behar Neli. Libri monografik “Dr. Sali Kurti, ikona e stomatologjisë shqiptare”, është një vepër biografike dhe publicistike e autorit Hamdi Hysuka, i cili mes të tjerash tha se Libri vjen si një dëshmi e plotë dhe e detajuar e kontributit gjysmëshekullor të Dr. Sali Kurtit, një prej figurave më të kontribuitive të mjekësisë dentare dhe një humanisti të palodhur, i cili u bë model suksesi duke e ndërtuar karrierën e tij. Në fund, mjeku Stomatolog Sali Kurti u ngjit në skenë së bashku me stafin e “Mati Dental”, ku falenderoi të gjithë ata të cilët kanë qenë bashkëudhëtarë në jetën e tij, në momente të vështira por edhe të mira. Më pas të gjithë të pranishmit kaluan disa orë të këndshme nën shoqërinë e Dr. Sali Kurti – Mjeshtër i Madh dhe të familjes së tij, në një nga lokalet e qytetit të Burrelit, ku nuk munguan urimet për “Ikonën e stomatologjisë shqiptare” si dhe atmosfera e gëzuar mes këngëve e valleve.