Projekti për ndërtimin e urave të reja në vend, ende asgjë konkrete për urën e Karicës

0
27

  Një vit më parë, Autoriteti Rrugor Shqiptar pas inspektimeve të bëra në terren doli në konkluzionin se 27 ura në të gjithë vendin kishin nevojë emergjente për rikonstruksion apo ndërtim nga fillimi. Mes këtyre urave ishte edhe ajo e Karicës në Mat, që është pjesë e rrugës nacioanle Burrel – Milot.

Por edhe pse tashmë kanë kaluar një vit nga ky vendim i ArrSh, në terren nuk ka asgjë konkrete.

Ura vijon të jetë në gjendje të degraduar jo vetëm nga ana e konstruktit të saj, por edhe sa i përket elementëve të sigurisë. Barrierat prej betoni vijojnë të jenë të dëmtuara dhe nuk japin asnjë siguri për përdoruesit e rrugës që mund t’i mbrojnë ata gjatë lëvizjes për të mos rënë nga ura.

Megjithëse kjo është ura e përzgjedhur, në këtë rrugë nacionale edhe urat e tjera të ndërtuara në të njëjtën kohë me atë të Karicës kanë probleme të shumta, duke vënë në pikpyetje sigurinë e përdoruesve të rrugës.

Rrjeti rrugor shqiptar përfshin përfshin 803 ura, shumë prej të cilave kanë arritur vëllimet e projektuara të trafikut dhe kapacitetin mbajtës, apo nuk janë mirëmbajtur. Fondi i miratuar për rindërtimin dhe rikonstruksionin e urave është miratuar në fillim të vitit të kaluar nga Banka Botërore në një marrëveshje me qeverinë shqipatre dhe përfshin një kosto prej 100 mln Dollarësh.